Kur kanë mbetur edhe 6 gara nga përfundimi i sezonit 2022 në Formula 1, piloti holandez i Red Bull, Max Verstappen, ka 116 pikë avantazh ndaj Charles Leclerc dhe 125 ndaj shokut të tij të skuadrës Sergio Perez.
Një avantazh i konsiderueshëm, duke mbyllur teorikisht garën për titullin kampion për pilotë këtë sezon.
Vetëm aritmetika ndan Verstappen nga titulli i dytë kampion radhazi, i cili mund të vijë që garën e ardhshme në Singapor. Në rast se holandezi fiton në garën e radhës, duke realizuar edhe xhiron e shpejtë, ndërsa Leclerc renditet i teti dhe Perez i katërti, atëherë do të kemi një kampion që pas 10 ditësh.
Verstappen shpallet kampion bote edhe pa xhiron e shpejtë, por në këtë rast Leclerc duhet të renditet i nënti dhe Perez i katërti.
Gjithsesi, pavarësisht kombinimeve, titulli kampion është çështje e mbyllur dhe holandezi herët a vonë do të festojë. Ndoshta në Japoni (Suzuka) apo Amerikë (Austin), ku zhvillohen garat e radhës.