Piloti francez i Yamaha, Fabio Quartararo, ka pësuar një frakturë të dorës së majtë gjatë garave të motocross, të zhvilluara dje. Një dëmtim që nuk pritej për ish-kampionin e botës, që këtë sezon u rendit i dyti në botërorin e MotoGP.
Sipas vetë pilotit, fraktura nuk është e madhe, ndaj dhe për momentin nuk ka nevojë për operacion. Gjithsesi, Quartararo do të mbajë dorën të fashuar dhe në allçi deri për Krishtlindje dhe më pas do të kryejë një tjetër kontroll mjekësor.
Aksidenti i francezit erdhi gjatë një seance stërvitore në garat e motocross, ku ai merr pjesë gjatë pushimeve dimërore, për të ruajtur formën. “Dje pata një aksident gjatë stërvitjes në garat e motovross dhe pësova një frakturë të vogël”, sqaron piloti.
“Për fat, nuk kam nevojë për operacion, pasi është një dëmtim që shërohet me kalimin e kohës”, tha Quartararo në një postim në rrjetet sociale, që për fat do të jetë gati për sezonin e ri.