Në fillimin e këtij sezoni të Formula 1 do të jetë edhe piloti britaniku Luis Hamilton, 7 herë kampion bote, që do të garojë makinën “Mercedes”. Ai është një pilot që ka kaluar shifrën e 300 garave në këtë sport.
Statistikat tregojnë se pilotët, pasi arrijnë kuotën e 300 garave, nuk fitojnë dot më, tabu që këtë vit synon ta thyejë Hamilton.
“I di aftësitë e mia dhe të makinës time, andaj mendoj se mund t’ia dal mbanë”, tha Hamilton, që mban mjaft rekorde në këtë sport.
“Ju garantoj se në Formula 1 nuk ka patur kurrë më parë një pilot si unë”, u shpreh më tej Luis Hamilton, që përgatitet për një tjetër sezon të vështirë, duke qenë se “Mercedesi” nuk është favorit.
Gjashtë janë pilotët që kanë kaluar kuotën e 300 garave në Formula 1: Fernando Alonso, Kimi Raikonen, Mihael Shumaher, Rubens Barriçello, Luis Hamilton e Xhenson Baton (Fetel 299 gara), por pasi kanë arritur këtë shifër nuk kanë fituar dot më.
Nga kjo gjashtëshe, vetëm Bariçello nuk është shpallur dot kampion bote.