Me fillimin e muajit shkurt nis “sezoni i prezantimeve” të skuadrave të Formula 1.
Në fund të këtij muaji zhvillohet testet e vetme, ndërsa në mars nis kampionati. Gjithsesi, skuadrat kanë zbuluar njëvendëshet e reja dhe e para që e ka bërë këtë gjë është makina amerikane Haas.
Skuadra amerikane, që përdor motor Ferrari, ka ndryshuar disi ngjyrat, duke u bërë një makinë “bardhë e zi”.
Edhe pse pritet të ketë disa ndryshime të tjera, ngjyrat e njëvendëshes amerikane do të jenë këto. Dy pilotët e Haas për vitin 2023 janë Kevin Magnussen dhe Nico Hulkenberg.
Kështu, Haas, ndryshe nga dy vite më parë kur kishte dy debutues (Schumacher e Mazepin), këtë vit ka dy pilotë me përvojë, duke sjellë një filozofi të re, pasi kërkon pikë dhe viujueshmëri në rezultate. Njëvendëshja e këtij sezoni pritet të jetë më kompetitive, duke dueluar më shpesh për zonën e pikëve.