Një ditë pas debutimit të makinës Ferrari, piloti spanjoll Carlos Sainz, ka folur me superlative për njëvendëshen që do të pilotojë këtë sezon.
Ky është sezoni i tij i tretë me “kokëkuqen”, që pritet të jetë edhe më i miri, pas triumfit të parë në karrierë në Formula 1 vitin e kaluar.
“Makina e re është ende si një foshnjë që duhet të rritet, por në provën e parë gjërat shkuan mjaft mirë.
Ferrari arriti të sjellë që në testin e parë një makinë që nuk pati asnjë problem.
U argëtuam bashkë me Charles Leclerc, duke u munduar edhe ta kuptojmë makinën e re”, tha Sainz.
“Dy gjëra më bënë shumë përshtypje dhe ia komunikova skuadrës:
Isha shumë komod në makinën e re, njësoj sikur të isha ulur në divan si dhe u përshtata shumë shpejt me të.
Këto janë gjëra të rëndësishme, pasi do të kalojmë orë të tëra duke pilotuar këtë makinë”, u shpreh spanjolli.
“Një makinë që tani për tani më kënaq, Ferrari më i mirë që kam pilotuar deri më tani.
Duhet të pranoj se është bërë një punë shumë e mirë në çdo aspekt, edhe në pamjen e jashtme.
Gjithsesi, është shpejt për të parë çdo detaj dhe anën teknike. Tani të shohim edhe teste e radhës për të parë ku jemi me rivalët”, tha Sainz.