Kampioni i botës në MotoGP, italiani Francesco Bagnaia, fitoi garën e parë sprint të këtij sezoni.
Piloti i Ducati triumfoi në pistën e Portimao (Portugali), duke lënë pas spanjollin e Ducati Pramac, Jorge Martin (i dyti).
I treti u klasifikua spanjolli tjetër Marc Marquez me Honda, që e nisi garën nga “pole”, por u detyrua të kënaqej me podiumin. Kjo ishte gara sprint e parë e sezonit dhe e historisë në MotoGP, një minigarë me 12 xhiro, ku triumfoi Bagnaia.
Piloti italian mori edhe 12 pikët e para sezonale, duke kaluar Martin në metrat e fundit të garës dhe festuar kështu këtë triumf të vogël, por të rëndësishëm.
Falë vendit të parë në garën sprint, ai do ta nisë sot garën nga vendi i parë.
I katërti u rendit Jack Miller me KTM dhe pas tij spanjolli Maverick Vinales me Aprilia.
Dobët u paraqit Yamaha, me francezin Fabio Quartararo në vendin e 10-të. Të dielën, në orën 15:00, do të zhvillohet gara e parë sezonale.