Pas vendit të tretë në garën e Baku-s, pesë ditë më parë, piloti monogask i Ferrarit, Sharll Leklerk, përgatitet për një tjetër sfidë, atë të garës së Majamit. Piloti i “kokëkuqes” shpreson që edhe në këtë garë njëvendëshja e tij të jetë e shpejtë dhe protagoniste.
“Mendoj se gara e Baku-s ishte një injektim besimi për ne.
Pas tri garave të para që ishin negative, gara e fundit solli një Ferrari ndryshe dhe kjo tregon se jemi në drejtimin e duhur.
Makina jonë është e shpejtë në kualifikuese, na duhet të punojmë disi më shumë në ritmin e garës”, tha Leklerk.
“Red Bull është ende dominuese në ritmin e garës, por mendoj se përditësimet që i janë bërë makinës duhet të japin një shtysë tjetër.
Natyrisht që ato nuk mjaftojnë për të dueluar me Red Bull, por të paktën do të lëmë pas Mercedes e Aston Martin”, u shpreh Leklerk.
Gara e ardhshme, në Majami, do të zhvillohet më 7 maj.