Edhe pse botërori i Formula 1 rrit numrin e garave apo ndryshon rregullat për ta bërë këtë sport sa më spektakolar, sërish ai është i limituar. Pas dominimit të Mercedes tani është radha e Red Bull të bëjë të njëjtën gjë, duke qenë e pakapshme nga rivalët në pistë.
Skuadra e Red bull ka fituar 15 nga 16 garat e fundit, madje këtë sezon ka arritur në pesë garat e zhvilluara pesë fitore të dyfishta me pilotët e saj. Çka tregon se kjo makinë është e paarritshme dhe se rivalët duhet të kënaqen me thërrimet që lë kjo skuadër.
Titulli për pilotë është një duel brenda familjes mes Max Verstappen e Sergio Perez, ndërkohë që gara për titullin për konstruktorë është mbyllur që tani. Me 5 fitore të dyfishta në pesë garat e para, pa përfshirë atë të garës sprint në Baku, makina Red Bull është pranë titullit të dytë për konstruktorë.
Të gjitha skuadrat e tjera duket se janë dorëzuar dhe me gjithë modifikimet që paraqesin nga gara në garë nuk arrijnë të ngushtojnë diferencat me kryesuesit e botërorit. Red Bull ka vënë në shënjestër rekordin e 19 fitoreve të arritura në një sezon nga Mercedes në vitin 2019 në 21 gara të zhvilluara.