Kampionati i Kosovës në automobilizëm vazhdon këtë të diel me garën në disiplinën e auto sllallomit.
Rruga “Brahim Ademi” pranë palestrës së sporteve “Bill Clinton” në Ferizaj është “arena” e kësaj fundjave, në garën të cilën AK Ferizaj e organizon në bashkëpunim me Federatën e Auto Sportit të Kosovës (FASK) dhe Komunën e Ferizajt.
Kryetari i klubit, Arbër Rexhepi, për faqen zyrtare të FASK-ut, ka thënë se gjithçka është gati për garën e së dielës.
“Klubi jonë e ka marrë shumë seriozisht organizimin e garës dhe tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme.
Në bashkëpunim me FASK-un dhe Komunën e Ferizajt, besojmë se do të kemi një garë të mirë në të gjitha aspektet, qoftë për nga organizimi, numri i pjesëmarrësve dhe rezultatet e arritura”, ka thënë Rexhepi.
Auto Klubi Ferizaj tashmë njihet për masivitetin, por edhe rezultatet e mira në këtë disiplinë, prandaj është e sigurt që edhe këtë të diel interesimi për pjesëmarrje do të jetë i madh, ashtu sikur edhe synimi për sukses.
Sigurisht, edhe klubet tjera në garë hyjnë me ambicie shumë serioze, fakt ky që e shton rivalitetin, atraktivitetin dhe rrjedhimisht edhe interesimin e dashamirëve të auto sportit.
Pra, të dielën, me fillim në orën 11:00, “Ferizaj 2023”, do të jetë sfida e radhës për garuesit tanë të auto sportit.