Ferrari vjen në garën e Kanadasë me një moral aspak të lartë. Rezultatet e deritanishme të të dy pilotëve, Leclerc dhe Sainz janë shumë larg objektivave që synonte skuadra italiane.
E vazhdimësia e misionit midis praktikës dhe çmimit të madh, sulmit në kohë dhe ritmit të garës për Ferrarin, vjen nëpërmjet fjalëve të drejtorit të ekipit Frederic Vasseur, të ndodhur në Montreal, ndërsa skuadra përgatitet për garën e tetë të Botërorit të F1.
"Mbërrijmë në Kanada të vetëdijshëm se duhet të vazhdojmë të përmirësojmë paraqitjen në garë të SF-23. Ne kemi konfirmuar përditësimet e prezantuara në Spanjë që kanë funksionuar, duke i lejuar Carlos dhe Charles të jenë në gjendje të llogarisin tashmë një makinë më të qëndrueshme për të dielën e garës”, ka thënë Vasër.
“Vitin e kaluar, të dy pilotët ishin protagonistë të mëdhenj në Montreal. Kemi shumë tifozë këtu dhe duam t'u japim atyre një shfaqje të mirë ekipore".
Ndërkohë që pas 7 garave të para të botërorit 2023 të Formula 1, është e kotë të pretendosh të gjesh një kundërshtar të aftë për të ndalur marshimin e Max Verstappen drejt titullit të tij të dytë botëror. E këtë gjë e dinë mirë në Maranello.
Ndaj synimi kryesor i skuadrës së kuqe në këtë sezon mbetet përmirësimi i vazhdueshëm dhe me efikasitet i njëvendëshes SF-23. Por përtej pretendimeve dhe synimeve të skuadrave pjesëmarrëse në F1, përsa i përket Çmimit të Madh të Kanadasë, që do të zhvillohet këtë fundjavë, moti i pasigurt, ka të ngjarë të prishë planet e tyre.
Mund të ketë shtrëngata shiu të shtunën e provave zyrtare, ndërsa për garën pritet një e dielë e thatë dhe me diell.