Ferrari u klasifikua në vendet 4-5 në garën e fundit të Formula 1 zhvilluar në pistën e Montreal (Kanada), një rezultat pozitiv duke parë problemet që ka patur “kokëkuqja” këtë sezon. I kënaqur nga rezultati dhe makina ka qenë Charles Leclerc, që tha:
“Ndjesia pas kësaj gare është pozitive. Fundjava e kaluar ishte e mirë nga fillimi në fund”.
“Më vjen keq për rezultatin në provat zyrtare, por gara na dha një mundësi që e shfrytëzuam.
U nisëm nga vendet 10-11 dhe u renditëm në vendet 4-5, falë një strategjie të mirë dhe një ritmi të kënaqshëm”, u shpreh më tej piloti monogask i Ferrari.
“Objektivi është të përmirësojmë makinën dhe mendoj se kemi gjetur diçka pozitive, pasi u ndjeva mjaft komod në makinë garën e fundit. Gjithsesi, duhen bërë të tjerë hapa përpara. Makina që pilotova në Kanada është më e mira e këtij sezoni dhe kjo më jep kurajo”, tha Leclerc.
“Jemi larguar nga Kanadaja me një buzëqeshje të lehtë, por ajo e madhe do të vijë kur të duelojmë për fitoren. Ndaj, nga sot rikthehemi të punojmë për të reduktuar diferencën që kemi me Red Bull dhe makinat e tjera para nesh”, u shpreh Charles Leclerc.