Këtë javë, në Cordoba të Spanjës, do të mbledhet Asamblja e përgjithshme e FIA-s, që do të hedhë bazat e sezonit 2024 të Formula 1.
Sipas mediave italiane, në rendin e ditës do të diskutohen disa ndryshime të rëndësishme në kalendarin e garave.
Sipas FIA-s, dy gara të sezonit të ardhshëm mund të zhvillohen ditën e shtunë.
Bëhet fjalë për garën e Bahrein (pista e Sakhir) dhe atë të Arabisë Saudite (pista e Jedah), të cilat mund të zhvillohen 24 orë më herët se zakonisht.
Arsyeja kryesore e këtij spostimi nga e diela në të shtunën ka të bëjë me festimin e Ramazanit, pasi komuniteti musliman praktikon agjerimin në periudhën që zhvillohet botërori.
Kështu, projekti i paraqitur është ai që kampionati i ardhshëm i Formula 1 të nisë më 2 mars, në Bahrein dhe pas 7 ditësh të zhvillohet gara e dytë në Arabinë Saudite, më 9 mars. Të dyja këto gara, për të respektuar Ramazanin, do të zhvillohen me drita, ditën e shtunë.
Një modifikim tjetër pritet të jetë rikthimi i garës së Kinës në kalendar, që mungon prej vitit 2020 për shkak të pandemisë.
Gara e Shanghai do të jetë e katërta në kalendar, çka do të sjellë edhe një spostim të garës së Japonisë, nga vjeshta në pranverë.
Gara e Suzuka pritet të jeta e treta në radhë, pas dy garave në Lindjen e Mesme dhe para asaj të Kinës për të ulur kostot dhe ndihmuar në lëvizjen e logjistikës.