Makina britanike “Hitech” ka paraqitur zyrtarisht një kërkesë për të qenë pjesë e botërorit të Formula 1, duke nisur nga viti 2026, kur hyjnë në fuqi rregullat e reja të regjistrimit.
Skuadra me seli në Silverstone, aktualisht garon në kampionatet e Formula 2, Formula 3 dhe Formula 4.
Gjithçka u bë e mundur pasi pronarët e kësaj makine, “Hitech Golbal Holdings Limited”, shitën 25% të aksioneve të tyre te biznesmeni kazak Vladimir Kim. Hyrja e një investitori të ri bëri të mundur që “Hitech” të ketë burimet e duhura financiare për të garuar në një kampionat si Formula 1.
“Ne synojmë të jemi protagonist në Formula, pasi motor-sporti është një industri e rëndësishme dhe me shumë interes për ne. Kemi mjaft përvojë në sport dhe shpresojmë të jemi të suksesshëm edhe në Formula 1”, u shpreh Oliver Oakes, një nga drejtuesit e “Hitech”.
FIA është aktualisht duke shqyrtuar kërkesën e mbërritur nga skuadra britanike, ndërkohë që e interesuar për të hyrë në Formula 1 është edhe Andretti, që do të nisë një bashkëpunim me “Cadillac”. Këto afrime të reja pritet ta bëjnë më kompetitiv sportin e Formula 1.