Çmimi i Madh i Singaporit në Formula 1 ka humbur një nga protagonistët e tij. Lens Stroll nuk do të marrë pjesë në garën e sotme si pasojë e aksidentit të frikshëm që bëri në provat zyrtare një ditë më parë.
Stroll u përplas me barrierat mbrojtëse duke shkatërruar makinën e tij dhe ndaloi menjëherë kualifikueset.
Ai iu nënshtrua kontrolleve mjekësore dhe për fat nuk kishte dëmtime të mëdha, vetëm tronditje nga përplasja me forcë me rrethimin e pistës.
Megjithatë, skuadra Aston Martin ka vendosur bashkërisht me pilotin që ai të mos garojë sot. Nëpërmjet një komunikate zyrtare u saktësua se kanadezi i cili ka siguruar 8 herë zonën e pikëve në këtë edicion, do të përqendrohej që të ishte në maksimum për garën e ardhshme, Çmimin e Madh të Japonisë.