Ka përfunduar gara “Bongo Hill Climb Monsters 2023”, e cila në këtë fundjavë u mbajt në Skradin të Kroacisë.
Pjesëmarrës ishin edhe tre garuesit tanë, Gazmend Demolli, Përparim Dushi e Faton Rama, të cilët patën paraqitje solide.
Në një konkurrencë shumë të fortë, Përparim Dushi me Opel Astra TCR u rendit i gjashti në Grupin 5, ndërsa Faton Rama me Renault Clio i 12-ti në Grupin 4.
Gazmend Demolli me Radicall SR8 LM pas vozitjes së parë ishte i 7-ti në plasmanin e përgjithshëm, por pati defekt në veturë dhe nuk arriti të përfundojë garën.
Fitues i garës doli zvicerani Faustin Robin me Osella FA30 me kohën e përgjithshme 02:47.055 minuta (01:23.477 dhe 01:23.577).
Në fakt gara më tepër është e karakterit të festivalit automobilistik, por që i tubon garuesit më të mirë nga Evropa, përfshirë kampionë e rekordmenë të njohur.