Gara e Cmimit të Madh të Meksikës në Formula 1 është ndalur në xhiron e 35-të (71 xhiro në total) për shkak të një aksidenti. Makina Haas e Kevin Magnusen ka dalë jashtë piste në kthesën e tetë dhe u përplas me barrierat mbrojtëse.
Për fat të mirë asnjë problem për pilotin danez, që doli vetë nga makina e tij edhe pse ajo u shkatërrua plotësisht. Madje në pjesën e pasme makina ishte në flakë dhe ndërhynë komisarët e pistës për t’i shuar ato.
Makina e Magnussen është pozicionuar në një pozicion të keq, jashtë piste, por heqja e saj dhe sistemi i barrierave mbrojtëse kërkon shumë kohë. Fillimisht në pistë hyri makina e sigurisë, por më pas u valëvit flamuri i kuq.
Në krye të garës është Max Verstappen me Red Bull, ndjekur nga Charles Leclerc (Ferrari), Lewis Hamilton (Mercedes) e Carlos Sainz (Ferrari).
Është larguar nga gara piloti vendës Sergio Perez, që pati një aksident që në xhiron e parë.