Piloti amerikan Logan Sargeant, që këtë sezon debutoi në Formula 1 me makinën Williams, ka krijuar mjaft dëme në 22 garat e zhvilluara këtë vit. Ai ka përplasur disa herë njëvendëshen e tij, duke i kushtuar skuadrës Williams një dëm kolosal, me vlerën 4.3 milionë euro.
Një debutim aspak i mirë për Sargeant, që me shumë gjasa do të largohet vitin tjetër edhe për faktin se grumbulloi vetëm 1 pikë. Dëmet më të mëdha, që kishin më shumë koston, ishin aksidentet që ai pësoi në Sandvoort (Holandë) dhe Suzuka (Japoni).
Piloti i dytë që shkaktoi më shumë dëme në makinën e tij është spanjolli Carlos Sainz me Ferrari, me vlerë 3.6 milionë euro. Gjithsesi, duhet përmendur se 1.2 milionë euro dëme erdhën pas aksidentit në garën e Las Vegas, ku një kapak pusete shpërtheu në momentin që kaloi makina Ferrari, duke e dëmtuar rëndë “kokëkuqen” e Sainz.
Më pas, në renditjen e pilotëve më “shkatarraq”, në top-5 klasifikohen edhe Sergio Perez, Esteban Ocon e Lance Stroll. Te Red Bull vihet re një diferencë e madhe mes Verstappen e Perez, pasi kampioni i botës ka sjellë vetëm 345 mijë euro dëme krahasuar me 3.2 milionë euro dëme të meksikanit.