Në vitin 2022, kur në pistë zbritën makinat e reja të Formula 1, skuadra Red Bull ishte ajo që kishte projektin më të mirë. Rezultatet e dy viteve të fundit e konfirmojnë këtë gjë, teksa mjaft skuadra e kopjojnë makinën austriake. Nuk është dakord me këtë ide Lewis Hamilton, që i qëndron besnik modelit që Mercedes ka patur dy sezonet e fundit.
7 herë kampioni i botës sqaron se duke kopjuar Red Bull nuk mund të fitosh dhe nuk është zgjidhja e duhur për të dalë nga vështirësitë. “Mjafton të shihni atë që i ndodhi Aston Martin.
U përpoqën të kopjojnë Red Bull dhe në një moment të sezonit makina e tyre nuk arrinte të funksiononte. Duke kopjuar del gjithnjë i dyti”, tha Hamilton.
“Nuk mund të hedhësh poshtë një projekt dhe të nisësh një tjetër nga fillimi.
Duhet të përpiqesh të identifikosh atë që funksionon dhe të vazhdosh në zonat e tjera që kanë probleme.
Ne kemi mjaft diferenca me Red Bull, sidomos në shpejtësinë maksimale dhe kjo është rruga ku duhet të punojmë”, tha Hamilton.