Detaje të jashtëzakonshme janë zbuluar sot rreth legjendës së Formula 1, Michael Schumacher.
Mediumi gjerman “Bild” raporton se Schumi “është vozitur në një veturë Mercedes AMG për ta stimuluar trurin e tij”.
“Si pjesë e kujdesit dhe e rehabilitimit të tij, Schumacher është vozitur në një makinë Mercedes AMG.
Qëllim i kësaj ishte që t’i stimulohej truri me tinguj të njohur, pasi Schumacher i kishte kaluar mbi dy dekada duke garuar me makina, qoftë në Formula 1 apo në kategori të tjera përpara debutimit të tij profesional në vitin 1991 në garën për Çmimin e Madh të Belgjikës”, shkruan mediumi gjerman.
Është zbuluar po ashtu se deri në 15 mjekë, masazhatorë dhe asistentë janë pjesë e ekipit të tij të kujdesit për t’i ofruar kujdes sa më të mirë të mundshëm 24 orë në ditë.
Gruaja e Schumit, Corinna ka vendosur rregulla strikte se kush mund ta vizitojë legjendën e Formula 1 në shtëpinë e tyre të kujdesit.
Kjo listë i përfshin miqtë e ngushtë, Jean Todt, ish-drejtor i ekipit të Schumacherit në Ferrari, dhe Luca Badoer, një ish-pilot testues për skuteri gjatë viteve të lavdisë së gjermanit.
Nesër do të bëhen 10 vjet nga aksidenti i tmerrshëm që e kishte pësuar shtatë herë kampioni botëror i Formula 1 në alpet franceze dhe nga ajo kohë shumë pak dihet për gjendjen shëndetësore të gjermanit.
Ai kishte pësuar lëndim të rëndë në kokë pasi e kishte goditur një gur të madh, ndonëse mbante helmetë në kokë.
54 vjeçari ishte futur në koma artificiale dhe iu nënshtrua disa operacioneve, ndërsa nuk u pa më kurrë me sy që nga ai aksident.
Familja e tij e ka ruajtur privatësinë e rreptë, ndërsa ai kujdeset nga një ekip i stafit mjekësor dhe nga gruaja e tij, Corinna në shtëpinë e tyre pranë liqenit të Gjenevës.