Piloti i Mercedesit, Luis Hamilton, hodhi poshtë zërat e tërheqjes nga botërori i Formula 1. 7-herë kampioni i botës theksoi se është ende i uritur për suksese në këtë sport.
“Në vitin 2007 kam qenë vetëm 22-vjeç. Isha ende një fëmijë dhe nuk kisha shumë informacion për botën në përgjithësi.
Në këtë moment ndihem shumë mirë dhe shumë i lumtur. E di se çfarë dua nga jeta ime,” tha në fillim Hamilton.
Më tej, piloti britanik foli edhe për eksperiencën e tij të gjatë në botërorin e shpejtësisë, ku pranoi faktin se ka pasur shumë ulje-ngritje në karrierë.
“Nuk kam ndonjë plan konkret për të ardhmen.
Ndiej ende të njëjtin pasion për këtë sport, njësoj si në fillimet e mia. Është një raport dashuri-urrejtje, ndonjëherë e do më shume se gjithçka tjetër,” mbylli deklaratën e tij Hamilton.
Botërori i Formula 1 do të ngrejë siparin fundjavën e parë të marsit, me çmimin e madh të Bahreinit. Favoriti kryesor mbetet Maks Verstapen me Red Bullin e tij.
Nga ana tjetër Mercedesi dhe Ferrari kanë pësuar ndryshime rrënjësore në makina, me qëllim rivalizimin deri në fund të edicionit.