Mercedes mbylli pjesën e parë të sezonit të Formula 1 me tri fitore, por tashmë është koha për të menduar edhe për të ardhmen. Skuadra gjermane ende nuk ka konfirmuar pilotin që do të zëvendësojë Lewis Hamilton, ndërkohë që piloti tjetër është britaniku George Russell.
Toto Wolff, drejtori sportiv i Mercedes, në një deklaratë për mediat ka konfirmuar se 17-vjeçari italian Kimi Antonelli, që aktualisht është në Formula 2, është opsioni i parë. “Kriteret për shoferin tonë të ardhshëm janë të thjeshta: Ne duam më të mirën në dispozicion. Për momentin, opsioni im i parë është Kimi Antonelli”, tha Wolff.
“Sigurisht që ka rreziqe. Nuk ka të bëjë aq shumë me talentin e tij si pilot, por Antonelli do të ekspozohej në media. Kimi ka potencial të jashtëzakonshëm. Shpejtësia dhe talenti i tij tashmë janë në një nivel të caktuar, thjesht i mungon përvoja”, u shpreh menaxheri austriak, që vijon të ndjekë edhe Max Verstappen.
“Një skenar alternativ është sigurisht Verstappen, por për momentin nuk më duket realist. Pilotët e tjerë do të nënshkruanin një kontratë një ose dy vjeçare, e cila nuk na mjafton. Kështu që jam i lumtur të rrezikoj me Antonelli, sepse është një rrezik i llogaritur”, tha Toto Wolff.
“Nëse shikoni ecurinë e Piastri, atij iu desh një vit e gjysmë për të garuar për fitore në nivelin e shokut të skuadrës Lando Norris.
Ne duam të përpiqemi të bëjmë të njëjtën gjë me Kimi. Në vitin 2025, me ndryshimet e vitit 2026, ne do të jemi ende në tranzicion, kështu që është një sezon i mirë për ta ndërtuar atë në ekipin tonë”, tha Wolff.