Diferenca në rezultate e shprehur nga Max Verstappen dhe Sergio Perez në Red Bull do të thotë se dy renditjet e kampionatit botëror, ajo ;për pilotë dhe konstruktorë, i japin këndvështrime shumë të ndryshme pushimeve verore.
Nëse në kampionatin e pilotëve rikthimi i Lando Norris kundër Verstappen duket i ndërlikuar, por jo i pamundur (78 pikë diferencë), në klasifikimin e konstruktorëve skenarët janë shumë të ndryshëm: Red Bull ka vetëm 42 pikë avantazh karshi McLaren. Një diferencë që mund të korrigjohet edhe në një garë.
Skuadra e McLaren ka dy pilotë që shkojnë në pikë së fundi, ndërsa Red Bull paguan për paraqitjen herë pas here të papranueshme të Perez. Dhe, duke marrë parasysh konfirmimin surprizë të meksikanit, McLaren e sheh kampionatin e konstruktorëve si një mundësi të shkëlqyer për t’iu rikthyer fitimit të një titulli.
Sipas shefit të McLaren, Zak Brown, lufta me Red Bull do të vazhdojë deri në Abu Dhabi: “Do të jetë e vështirë. Besoj se titulli do të vijë në garën e fundit. Nuk ka shumë diferenca mes dy makinave”.
“Do të jetë një çështje për të parë se si sillet Perez: nëse ai arrin të sigurojë paraqitjet që është në gjendje të japë, do të jetë një luftë e vështirë. Nëse ai vazhdon të sillet siç ka bërë këtë vit, do të kemi një shans të mirë, sepse kemi dy pilotë që janë vazhdimisht përpara”, tha Brown.