Gara që zhvillohet këtë fundjavë në Holandë do të jetë e 81-ta si shokë skuadre për dy pilotët e Ferrari, Charles Leclerc dhe Carlos Sainz. Në këtë aventurë të lindur në vitin 2021, spanjolli i “kokëkuqes” ka arritur tri fitore, për t’u larguar në fund të këtij sezoni, pasi do t’i lërë vendin Lewis Hamilton.
Marrëdhëniet mes Leclerc dhe Sainz kanë qenë gjithmonë korrekte, por jo pa momente tensioni të forta. Vetë Charles foli hapur për këtë në podcastin F1 “Beyond the Grid”. Në fund të sezonit çifti do të ndahet dhe, në një farë mënyre, Leclerc pranon se i vjen keq: “Do të më mungojë Carlos, si personi. Shkojmë shumë mirë”.
“Fatkeqësisht, në këtë botë çdo gjë analizohet dhe kritikohet tepër, por ne kemi pasur gjithmonë një marrëdhënie të mirë. Ne ndajmë shumë interesa dhe ka kujtime që do t’i mbaj me vete përgjithmonë”, tha Leclerc, që nuk e mohon që lidhja e tyre ka kaluar nëpër faza të komplikuara.
“Me kokoren në kokë gjatë garës ka pasur momente që unë e urreja por dhe ai më urrente, sepse ne nuk i shihnim gjërat njësoj. Por, më pas gjërat mund të rregullohen duke folur”, tha monogasku i Ferrari.
Në vitin 2025, Leclerc do të bashkohet nga Hamilton dhe ai ka një ide se çfarë do të sjellë ardhja e shtatë herë kampionit të botës në Maranello: “Do të ketë një ndikim jashtëzakonisht pozitiv. Një kampion si Lewis sjell shumë motivim për secilin prej anëtarëve të tij. Ky është efekti i parë pozitiv që do të ketë te Ferrari”.
“Leëis do të shfrytëzojë të gjithë përvojën që ka grumbulluar në këto vite me Mercedes. Ai vjen me një mënyrë tjetër të punës, një vizion tjetër dhe kjo vetëm i sjell përfitim skuadrës”, tha Leclerc.
Monogasku nuk e mohon se ndihet i stimuluar nga krahasimi me Hamilton: “Do të kem të njëjtën makinë si piloti më i suksesshëm në F1. Do të jetë shumë interesante për mua të mësoj nga një prej më të mirëve. Të mposht Lewis dhe të tregoj se çfarë jam i aftë do të jetë një sfidë dhe motivim i madh”.