Pas dy vendeve të treta në dy garat e para, Genc Macula është fitues i garës së tretë në kampionatin e sivjetmë në disiplinën auto sllallom me vetura elektrike.
Anëtari i Eurogoma RT pati kohën e përgjithshme prej 01:06.273 minuta.
“Ndryshe nga garat e kaluara, kjo e sotmja ishte më interesante, pasi është bërë ‘pasqyrë’ konfigurimi i shtegut.
Gara ishte më e shpejtë, më fluide, për shak që disa prej portave ishin më të gjera dhe na lejuan të rrezikojmë më tepër e njëkohësisht të kemi më shumë adrenalinë. Sot isha në garë me veten dhe të dyja vozitjet ishin të përafërta me të qindtat e sekondës.
Konkurrenca ishte e mirë, sidomos me Visarin (Gjikollin) dhe po shpresoj që kështu të jetë edhe në garën e fundit”, ka thënë Macula pas fitores.
Edhe në dy pozitat tjera që sigurojnë podiumin u gjendën anëtarët e Eurogoma RT, Visar Gjikolli (01:07.214) dhe Lis Paliçaku 01:07.241).
Florent Blakçori, Unik Ramadani, Allmir Suhodolli e Baran Karabeg ishin garuesit që u renditën në pozitat pasuese.
Në plasmanin ekipor, e para doli Eurogoma RT, e pasuar nga AK Ferizaj e DTM .