Gentjan Shaqiri, i kënaqur me të arriturat, por me synime edhe më serioze

Formula 1

Gentjan Shaqiri, i kënaqur me të arriturat, por me synime edhe më serioze

Më: 25 gusht 2024 Në ora: 16:32
Gentjan Shaqiri

Gentjan Shaqiri është garuesi i vetëm nga Shqipëria, i cili me sukses po i ndjek garat në disiplinën malore, të kuadër të Kampionatit të FIA CEZ.

Pasionin për auto sportin ai e ka që kur ishte i vogël, ndërsa bashkë me pasionin vazhdojnë të rriten edhe ambiciet.

“Garat kanë qenë pasion imi që kur isha i vogël. Në moshën 17-vjeçare kam filluar me karting, më pas kam marrë pjesë në gara rajonale, në Romë, ndërsa në vitin 2008 jam gjendur dy herë në podium. Duke filluar nga viti 2018, kam marrë pjesë në kampionatin shqiptar të kartingut, ku në vitin 2020 jam shpallur kampion.

Në vitin 2022 kam marrë pjesë në FIA motorsport games, duke arritur në gjysmëfinale në disiplinën ‘cross car’. Viti 2023 ka qenë për mua viti më i suksesshëm duke u shpallur nënkampion në FIA CEZ, në Grupin D E2SS. Pra, në total kam rreth 18 vite që jam prezent në autosport”, shpjegon Gentjani karrierën e deritashme në intervistën e tij të parë për faqen zyrtare të FASK-ut.

Derisa vitin 2023 e vlerëson më të mirin, ai është i kënaqur edhe me rezultatet e deritashme të vitit 2024.

Në këtë sezon ndihem shumë i kënaqur për sa u përket rezultateve që kam arritur në klasifikimet ‘over all’, duke spikatur më shumë në garat e Kullës dhe Brezovicës, ku në të dyja garat jam renditur i dyti në klasifikimin e përgjithshëm.

Kjo për mua është shumë motivuese dhe më bën të shpresoj për një rezultat të kënaqshëm në fund të Kampionatit FIA CEZ hill climb 2024”, ka shtuar Shaqiri.

Profesori nga Tirana, i cili sivjet po paraqitet me Tatuus, nuk i fsheh ambiciet e tij.

“Synimi im për këtë sezon të FIA CEZ është të arrij sa më shumë pikë dhe podiume. Ndërsa, për të ardhmen, synoj të kem një makinë formula më të re dhe më të shpejtë, për të arritur rezultate edhe më të mira”.

Gentjani e vlerëson mjaft të mirë nivelin e automobilizmit shqiptar.

“Auto sportin në Shqipëri dhe Kosovë e shoh në nivel më të kënaqshëm dhe më cilësor, sidomos atë kosovar, duke marrë parasysh prezencën e shumë garuesve kosovarë si në FIA EHC, ashtu edhe në FIA CEZ”, është shprehur ai, ndërsa në fund ka në lutje për FASK-un.

“Diçka që dua të shtoj dhe të merret në konsideratë edhe nga FASK-u, është që të gjindet një mënyrë që garuesit nga Shqipëria të garojnë në Kampionatin e Kosovës, jo si PROMO, por si garues konkurrentë të mirëfilltë”, është shprehur Gentjan Shaqiri në fund të intervistës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat