Monza po përgatitet të mirëpresë Çmimin e Madh të Formula 1 dhe për këtë rast ka një lajm të bukur për pilotët. Ky do të jetë edicioni i parë ku pilotët e podiumit do të marrin një trofe të veçantë. Por edhe piloti që do të arrijë polpozishën të shtunën do të marrë një çmim të veçantë, me vlerë të madhe historike dhe monetare.
Si zhurma e një motori. “Vroom”, kështu do të quhet trofeu që do t'u ndahet pilotëve në podium në Monza të dielën, në përfundim të Çmimit të madh të italisë. Por një trofe të ri këtë radhë do të ketë edhe për pilotin që do të fitojë pole position të shtunën.
Bëhet fjalë për një unazë me vlerë të madhe jo vetëm monetare por edhe historike. Kushdo pilot që arrin pole position do të përfitojë një xhevahir unik, Unazën e Mbretëreshës.
Ajo lidhet me historinë e qytetit, konkretisht me kurorën e hekurt të mbretëreshës Teodolinda, një figurë ikonike e fisnikërisë lombarde, inteligjente, shumë e bukur cilësi të kombinuara me aftësinë e saj të jashtëzakonshme si kalorëse. Kurora e hekurt ka një vlerë të madhe historike dhe kulturore duke kurorëzuar shumë mbretër të Italisë, përfshirë Napoleon Bonapartin, por edhe më e fortë është vlera e saj fetare.
Sipas legjendës, kurora e hekurt mban në strukturën e saj një nga gozhdat me të cilat u kryqëzua Jezusi. Në unazë do të jenë të gdhendura simbolet e motorsportit dhe gurët e çmuar përfaqësojnë ngjyrat e flamurit Italian. Unaza do të jetë prej ari 18 karat dhe në brendësi të saj do të vendoset edhe emri I pilotit që do ta fitojë atë.
Me rastin e Çmimit të Madh të Italisë në formula 1, edhe pilotët e Ferrarit do të kenë kostume të reja. Lëklerk dhe Sainz do të jenë të veshur me kostume në ngjyrë të zezë, të frymëzuara nga fibra e karbonit, me disa detaje në ngjyrë të verdhë.