Arlind Ramadani ka munguar në katër garat e para të Exfis kampionatit të sivjetmë në disiplinën malore, por do të jetë i pranishëm në Molika dhe Zym.
Anëtari i Prishtina Racing Team, do të garojë me një tjetër veturë.
“Në Molika dhe në Zym do të paraqitem me veturën Opel Kadett E GSi 2.0 16v, në Klasën 2000 E1”, ka thënë Arlindi për faqen zyrtare të FASK-ut në Facebook.
Ai beson që përkundër faktit se do të paraqitet me veturë tjetër, do të ketë rezultate të mira.
“Është normale që duhet pak kohë për t’u përshtatur me veturën e re, por unë pres që në dy garat që kanë mbetur, të kem rezultate të mira”, është shprehur Ramadani, i cili është optimist se kampionati i ardhshëm do të jetë më i mirë për të.
“Shpresoj që kampionatin e ardhshëm ta pres shumë i përgatitur, duke iu falënderuar edhe sponsorëve, por gjithsesi që duhet shumë punë, kohë e përkushtim”, ka theksuar Arlind Ramadani.
Sfida e tij e parë me Opel Kadet do të jetë ajo në “Molika 2024”, më 7 e 8 shtator.