Fatos Krasniqi pati një kampionat shumë të mirë në disiplinën malore, deri në garën në Brezovicë, kur pati një aksident, i cili për fat të mirë kaloi vetëm me dëme materiale.
Të shtunën, ai pati kohë fantastike (04:23.073 minuta) që ishte kohë “e çmendur” për veturën e tij (Honda) e njëherësh rekord për veturat deri 1600 ccm, ndërsa vetëm Përparim Dushi dhe “formulat” patën kohë më të mirë.
“Është e rëndësishme që aksidenti në Brezovicë kaloi vetëm me dëme materiale. Tashmë vetura është riparuar dhe jam gati për garën në Molika”, ka thënë Fatosi për faqen zyrtare të FASK-ut.
Tossi i falënderon të gjithë ata që e ndihmuan për ta bërë veturën të gatshme për garat në vazhdim.
“Më kanë ndihmuar shokët, por në veçanti Liridon Kalenderi “Liri”, Leutrim Rexhepi “Auto Kosova”, Admir Saç Atv4rent dhe Guney Tango”.
Ai ishte i pari në Krujë, Kullë, e Grashticë dhe është në rrugë të mirë që në fund të kampionatit të renditet i pari në Klasën 2.
“Pas rezultateve të arritura në garat e kaluara, më mjafton që në Molika dhe Zym të përfundoj garën dhe në fund të kampionatit të jem i pari në plasmanin e përgjithshëm”, ka shtuar anëtari i AK Prizreni D&G.
Fatosi në gara merr pjesë që nga viti 2018 dhe tri tani tri herë është kampion në disiplinën malore, dy herë në auto sllallom, ndërsa më herët ka pasur sukses edhe në karting.