Gazmend Demolli i Prishtina Racing Team është i fitues i garës së pestë në Exfis Kampionatin e Kosovës në disiplinën malore, “Molika 2024”.
Demolli me Norma M20 në të dyja vozitjet pati kohë shumë të përafërt 01:49.169 dhe 01:49.281 , koha e përgjithshme 03:38.450 minuta, me shpejtësi mesatare prej 158.541 kilometra në orë.
“Gradualisht po përshtatem me veturën e re. Molika është shteg i mirë që lejon edhe shpejtësi më të madhe. Jam i kënaqur me fitoren dhe shpresoj të kem rezultate të mira edhe në garat e ardhshme, sidomos në ato ndërkombëtare”, ka thënë Gazi pas fitores për faqen zyrtare të FASK-ut.
Paraqitje të shkëlqyeshme pati edhe Belkim Fazliu, i cili u rendit i dyti në plasmanin e përgjithshëm (pa e llogaritur Bojan Petrosovski nga Maqedonia e Veriut, i cili garoi në Klasën Promo), duke u kthyer pas një kohe të gjatë në podiumin e fituesve.
Fazliu i AK Prizreni D&G me Renault Clio pati kohën e përgjithshme 04:14.726 minuta (02:08.091 dhe 02:06.635).
Pozita e tretë në plasmanin e përgjithshëm i takoi anëtarit tjetër të AK Prizreni D&G, Bekim Kovaçi, me Honda Civic, me kohë 02:09.183 dhe 02:07.387 (koha e përgjithshme 04:16.570).
Në plasmanin ekipor, në pozitën e parë u rendit AK Prizreni D&G me 60 pikë, pasuar nga Prishtina RT (42), AK Ferizaj (40), Eurogoma RT (20), AK Drenica (12) dhe AMTKK me 12 pikë.