Liridon Kalenderi ka shkëlqyer edhe të dielën në garën “Ditët e Buzetit 2024”.
Në një konkurrencë të “çmendur” me makina e garues të jashtëzakonshëm, Liri është renditur i pari në Grupin 1 dhe Kategorinë 1.
Deri te fitorja Kalenderi me Mitsubishi Evo 9 arriti me kohën e përgjithshme prej 04:52.554 minuta (02:26.691 dhe 02:25.863), me shpejtësi mesatare prej 123.4 kilometra në orë.
Është ky triumfi i dytë i Kalenderit në një garë të vlefshme për Kampionatin Evropian, pas suksesit të arritur në qershor, në Shtenberk të Çekisë.
Ndërsa, Kampionatin Evropian, në tërësi e ka “ndjekur” dhe e ka përfunduar me sukses Valdet Kaçandolli me Suzuki Swift , i cili në Buzet u rendit i katërti në Grupin 3, e në të njëjtën pozitë edhe në plasmanin përfundimtar të EHCC, që gjithsesi është e arritur e madhe.
Në Buzet ishte pjesëmarrës edhe Valon Jaha me BMW, i cili në një konkurrencë shumë të fortë, u rendit i shtati në Grupin 4, por i ka inkasuar 6 pikë shumë të rendësishme në FIA CEZ, ku aktualisht është i pari në këtë grup.
]Paraqitje shumë të mirë pati edhe garuesi nga Shqipëria, Gentjan Shaqiri, duke u renditur i dyti në Grupin D/E2-SS.