Verstappen: Asgjë s’është vendosur por edhe asgjë s’ka humbur

Formula 1

Verstappen: Asgjë s’është vendosur por edhe asgjë s’ka humbur

Më: 18 shtator 2024 Në ora: 19:35
Verstappen

Nuk ka pushim për Formula 1, që këtë fundjavë do të spostohet në Singapor, në pistën qytetase. Në një garë spektakolare me drita. Piloti holandez i Red Bull Racing, Max Verstappen, shpreson që të rikthehet te fitorja, që mungon prej disa muajsh, ndërkohë që tashmë ka vetëm 59 pikë avantazh ndaj Lando Norris.

“Ne mësuam nga gabimet e javës së kaluar në Baku dhe mund të provojmë disa gjëra ndryshe këtë fundjavë në Singapor. Marina Bay është një cirkuit fantastik, por presim që të jetë pak më sfidues, siç ka qenë gjithmonë në të kaluarën.

Gara, zakonisht është shumë e ngushtë këtu dhe padyshim shumë e nxehtë dhe e lagësht”, tha Max Verstappen.

“Ndryshimet që bëmë fillimisht në Baku ishin pozitive dhe ne po shkonim në drejtimin e duhur. Ne mendojmë se e dimë se çfarë mund të bëjmë më mirë dhe padyshim që duhet të sigurohemi që të optimizojmë strukturën tonë”, u shpreh më tej 3 herë kampioni i botës.

Në fund, ai shtoi: “Do të jetë e rëndësishme të mbajmë kontrollin e makinën pak më shumë me shpejtësi të ulët në mënyrë që të ngjitet më shumë me asfaltin dhe kjo duhet të na ndihmojë shumë në fund.

Ne po luftojmë për kampionatin: fitojmë dhe humbasim si ekip dhe do të vazhdojmë të shtyjmë për t’i rikthyer më të fortë".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat