Duket e pabesueshme, por Maks Veshtapen është ende në kërkim të fitores së tij të parë në Çmimin e Madh të Singaporit në Formula 1.
Piloti i Red Bullit mbërrin këtë fundjavë në “Marina Bay” në një moment aspak të lehtë, pasi prej shtatë garash nuk arrin të triumfojë në F1.
Megjithatë edhe pse prej kohësh nuk ngjitet në shkallën më të lartë të podiumit, Vershtapen mbetet në vendin e parë të renditjes me 59 pikë avantazh nga Lando Norris i MekLarenit, kur kanë mbetur edhe shtatë gara deri në përfundim të kampionatit botëror. Holandezi kërkon të lërë pas këtë periudhë negative rezultatesh dhe vjen i karikuar në Singapor, aty ku pret të hedhë një hap të rëndësishëm drejt titullit të katërt radhazi kampion në Formula 1.
“Kem mësuar nga gabimet e javës së kaluar në Baku dhe mund të provojmë disa gjëra në mënyrë të ndryshme këtë fundjave në Singapor. ‘Marina Bay’ është një cirkuit fantastik, por presim të jetë pa më shumë impenjativ, ashtu sikurse ka qenë gjithnjë në të kaluarën. Na pret një garë si zakonisht e fortë, në një vend të nxehtë dhe me lagështi”, shprehet Vershtapen, duke kërkuar të kompaktësojë Red Bullit para garës në Singapor.
“Azhurnimet që sollën në Azerbajxhan rezultuan pozitive dhe po shkonim në drejtimin e duhur. Mendojmë që e dimë se çfarë mund të bëjmë më mirë dhe sigurisht që duhet ta përmirësojmë asetin. Do të jetë e rëndësishme që ta mbajmë pak më shumë kontrollin e makinës me shpejtësi të ulët, në mënyrë që të jetë më e lidhur me asfaltin, gjë që duhet të na ndihmojë shumë. Por dua të theksoj që jemi në garë për kampionatin, ne fitojmë dhe humbasim si skuadër. Kështu që do të vazhdojmë që të shtyjmë në maksimum, duke kërkuar që të kthehemi më të fortë”, deklaron Vershtapen, i cili përveçse titullit të katërt për pilotë, kërkon që të ndihmojë Red Bullin për të rimarrë kreun e konstruktorëve, renditje që tashmë sheh në vend të parë MekLarenin.
Duke përjashtuar fitoren e Serxho Perezit në vitin 2022, Singapori nuk është historikisht një pistë favorizuese për Red Bullin. Tripleta e Sebastian Fetelit nga 2011-ta në 2013-ën duket shumë e vjetër, ndërsa Vershtapen është i thirrur në apel për të shkruan emrin e tij në librin e artë të Singaporit. Maks duket gati për të riprovuar deri në fund që të shfrytëzojë çdo rrethanë të mundshme, pse jo edhe rivalitetin brenda shtëpisë së rivalëve, mes Norrisit dhe Piastrit, ndërsa në këtë duel është gati që të futet edhe Ferrari.