Vendi i pestë në garën e Singapor nuk është rezultati që Ferrari dhe Charles Leclerc synonte të arrinte në pistën qytetase të Marina Bay. Piloti monogask i është rikthyer garës së fundit duke pranuar se gabimet aty kanë nisur që më herët, gjatë provave zyrtare.
“Unë jam fajtori për rezultatin negativ në Singapor. Në atë garë është e qartë se pagova rezultatin e dobët në kualifikuese.
Ndaj, fitorja ishte e pamundur pasi u nisa nga vendi i nëntë dhe vetëm duhej të rikuperonim. Gjithsesi, mendoj se bëmë një punë të shkëlqyer”, tha Leclerc.
“Ne u përpoqëm gjatë garës të bëjmë diçka ndryshe por ishte e pamundur të shkonim më shumë se vendi i pestë.
Ky rezultat është një zhgënjim pasi kishim pretendime më të mëdha në këtë garë, por kjo do të na shërbejë si leksion”, u shpreh piloti i “kokëkuqes”.