Formula 1 po shqyrton mundësinë e prezantimit të një gare të veçantë, e rezervuar vetëm për pilotët fillestarë, në fund të këtij sezoni. Plani, i paraqitur në mbledhjen e korrikut të F1, gjeti miratimin e presidentit Stefano Domenicali, i cili konfirmoi në Monza se “projekti është në diskutim të avancuar”.
Kështu, dhjetë pilotët fillestarët e përfshirë në testet e fundit të sezonit në Abu Dhabi do të merrnin pjesë në një seancë kualifikuese, e ndjekur më pas nga një garë e vërtetë sprinti e organizuar në ditën e nesërme.
Ideja lindi nga dëshira për të zbutur dallimet në rrugën e trajnimit të pilotëve të rinj. Komisioni i F1 po shqyrton shtimin e një gare në dy seancat e parashikuara tashmë nga rregulloret, ku dhjetë fillestarët më të mirë do të jenë në gjendje të konkurrojnë, duke pilotuar një makinë të Formula 1.
Nuk mungojnë sfidat për një zbatim përfundimtar. “Propozimi është më i miri që kemi diskutuar ndonjëherë“, konfirmon Toto Wolff, i gatshëm t’i besojë timonin e W15 pilotit Kimi Antonelli. “Ne jemi në favor“, u shpreh Vasseur nga Ferrari, duke ndarë mendimin e përbashkët të disa drejtuesve të tjerë të ekipit.
Nëse për disa talente si Bearman dhe Doohan, kjo garë risi do të ishte një debutim i parakohshëm në F1, “gara e fillestarëve” do të përfaqësonte mundësinë e artë për disa pilotë të akademive.
Red Bull mund të përqendrohet te Isack Hadjar dhe Ayumu Iwasa, ndërsa McLaren dhe Aston Martin mund t’i besojnë makinat e tyre Pato O’Ward dhe Felipe Drugovich. Po ashtu, mund të garonte edhe Theo Pourchaire me Sauber.