Gazmend Demolli është fitues i garës “Zymi 2024”, e fundit për Kampionatin e sivjetmë të Kosovës në disiplinën malore.
Demolli i Prishtina Racing Team me Norma M20 deri te fitorja, në shtegun prej 2.8 kilometra, arriti me kohën 03:15.557 (01:39.346 dhe 01:36.311) me shpejtësi mesatare prej 103.089 kilometra në orë.
“Unë edhe para kësaj gare e kisha siguruar titullin e kampionit, por u paraqita në garë për t’i respektuar sponsorët, shikuesit dhe klubin organizator.
Jam i kënaqur me rezultatet e sivjetme dhe ajo që është më e rëndësishme për faktin që i gjithë kampionati kaloi vetëm me disa aksidente me pasoja materiale.
Shpresoj që në kampionatin e ardhshëm të kemi më shumë garues, më shumë konkurrencë dhe rezultate edhe më të mira”, ka thënë Demolli pas fitores në Zym.
I dyti në plasmanin e përgjithshëm u rendit Belkim Fazliu i SHAM AK Prizreni D&G, i cili me Renault Megane pati kohë 03:33.789 minuta. (01:47.491 dhe 01:46.298).
Në podiumin e fituesve u gjend edhe Besfort Bunjaku i AK Ferizajt me Honda Civic me kohë 03:34.166 (01:48.512 dhe 01:45.654).
Në konkurrencën ekipore, pozita e parë i takoi Prizrenit D&G me 60 pikë, pasuar nga AK Ferizaj (50), Prishtina RT (39), Eurogoma RT (20) dhe Gjakova 137 me 10 pikë.
Rezultatet komplete mund t’i shihni në linkun e mëposhtëm:
https://kstiming.com/