Për të fituar titullin e tij të katërt radhazi kampion bote në Formula 1, piloti holandez i Red Bull Racing, Max Verstappen, duhet të përfundojë të paktën në vendin e dytë në të gjitha garat e mbetura. Xhiroja më e shpejtë e vendosur nga Daniel Ricciardo në garën e fundit në Singaporit ishte një dhuratë e madhe që iu bë holandezit.
Duke i hequr atë pikë shtesë Lando Norris, australiani i lejoi Verstappen të ruante një avantazh të tillë, sa që ai mund të fitonte teorikisht kampionatin botëror për pilotë duke përfunduar gjithmonë i dyti në nëntë garat e ardhshme të planifikuara: Gjashtë garat klasike të së dielës dhe tri garat sprint të së shtunës.
Edhe nëse Norris do të fitontë këto 9 gara të mbetura, Verstappen me nëntë vende të dyta do të garantonte titullin e tij të katërt radhazi me një pike avantazh. Megjithatë, 3 garat sprint të planifikuara për Austin, Interlagos dhe Losail, mund të komplikojnë planet e pilotit të Red Bull. Këtë e konfirmon Nico Rosberg, kampion bote në vitin 2016.
Ai ka frikë se Verstappen mund të mos mbërrijë gjithnjë i dyti, sidomos në garat sprint, pasi duhet të mposhtë edhe konkurrencën e Oscar Piastri, Ferrari dhe Mercedes. “Max nuk do të jetë i lumtur që F1 ka përfshirë të gjitha këto gara sprint në fundin e kalendarit”, tha Rosberg.
“Një fitore vlen tetë pikë dhe ka tre gara sprint, janë shumë pikë në mes. Me mënyrën se si po ecën makina Red Bull, kjo shton shumë presion mbi Max. Titulli do të vendoset në fund, pasi Lando mund t’i fitojë garat e mbetura dhe ai do të ketë edhe ndihmën e Oscar Piastri, ndërsa Perez ka qenë një hije këtë sezon”, tha Rosberg.