Të shtunën, në Sllatinë, u mbajt edhe gara e tretë në disiplinën auto sllallom, e vlefshme për Kampionatin e Kosovës.
Për dallim nga gara e dytë, pati disa ndryshime të vogla në konfigurimin e shtegut, disa ndryshime të vogla në renditje, por ajo që nuk ndryshoi ishte pozita e parë.
Valon Jaha me BMW e tij e arriti edhe fitoren e tretë, në po aq gara sa janë mbajtur deri tani.
Anëtari i Prishtina Racing Team, ishte fantastik dhe në cak arriti për 01:43.863 dhe 01:42.251, koha e përgjithshme 03:26.114 minuta, asnjë penallti.
“Realisht ishte një ditë e mirë për mua, por edhe garë e mirë në përgjithësi. Kam besuar se do të arrij fitore, por gjithnjë duke i respektuar edhe garuesit tjerë, të cilët po ashtu patën paraqitje shumë të mirë. Pas tri fitoreve në tri garat e mbajtura, shpresoj të kem rezultat të mirë edhe në Prizren”, ka thënë Jaha pas fitores.
Në pozitën e dytë u rendit Kushtrim Bytyqi i AK Ferizajt me Renault Clio (01:46.657 dhe 01:49.252), ndërsa podiumin e plotësoi Pajtim Qupeva i AMTKK me Audi A3, me kohë 01:49.731 dhe 01:48.734 minuta.
Në konkurrencën ekipore, e para u rendit Prishtina RT me 60 pikë, e pasuar nga AK Ferizaj 55, AK Drenica 42, AMTKK 40 dhe Prizreni D&G me 15 pikë.