Një nga veteranët e Formula 1 është piloti spanjoll Fernando Alonso, i cili ka mundur të adaptohet gjithnjë me ndryshimet që pëson ky sport. Ai foli për kompleksitetin që ka ky sport, për mënyrën se si ai evoluon nga viti në vit dhe se si pilotën punojnë fort për t’u përshtatur me makinat e tyre.
“Këto makina nuk janë të lehta për t’u drejtuar, por mendoj se problemi i vërtetë është fakti që është e vështirë për të nxjerrë potencialin e tyre maksimal. Shpesh ndodh që të pilotojmë me 90% të potencialit dhe jemi më të shpejtë se sa kur ecim me 100% të potencialit. Kjo varet nga pista”, u shpreh dy herë kampioni i botës.
Më tej, ai sqaroi: “Kjo ndodh për shumë arsye. Kur je në limite është e lehtë që gjithçka të shembet, kështu që ndonjëherë mjafton të shkosh në 90%. Një shembull? Në Baku isha i 15-ti në në sesionin e parë dhe do të isha eliminuar ashtu si Norris. Shtatë minuta më vonë, vendosa një grup tjetër gomash dhe në sesionin e dytë isha i pesti. Jam përmirësuar më shumë se një sekondë, por kam pilotuar në të njëjtën mënyrë”.
“Frenova në të njëjtat vende dhe përgatitja për xhiron ishte e njëjtë, por arrita të përmirësohem shumë. Të tjerët bënë të kundërtën. Ndonjëherë nuk gjejmë shpjegime pse. Në garë ne pilotojmë gjithmonë me 90%, sepse duhet të shqetësohemi për gomat dhe karburantin”, tha Alonso.
“Ndoshta kjo është arsyeja pse nuk shohim më kaq shumë aksidente. Këto makina pilotohen shumë më mirë kur drejtohen pak më ngadalë se sa maksimumi i saj. Është pak kundër instinktit të pilotit, që gjithmonë dëshiron goma të reja dhe në një xhiro të japë 110% të mundësive”, tha Alonso.