Drilon Ahmetaj do ta përfaqësojë Kosovën në disiplinën E-Sport GT, në FIA Motor Sport Games, “Valencia 2024”.
Pas paraqitjeve shumë të mira që i pati në kampionatin vendor, Driloni është duke u përgatitur që edhe në Valencia të ketë rezultat sa më të mirë.
“Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë, sepse dihet që në Valencia konkurrenca do të jetë shumë e fortë. Gjithsesi, unë, por edhe garuesit tjerë që do të shkojmë atje, synojmë të arrijmë rezultat sa më të mirë”, ka thënë Ahmetaj për faqen zyrtare të FASK-ut, në Facebook.
Kjo është hera e dytë që Kosova garon në këtë disiplinë, pasi në vitin 2022, në Marsejë, pjesëmarrës ishte Visar Gjikolli.
"Është disiplinë mjaft atraktive, e cila kërkon përqendrim maksimal, por tashmë kemi përvojë të konsiderueshme dhe besoj do të paraqitem mirë në Valencia. E falënderoj FASK-un dhe SIM Race Kosova për mundësinë e dhënë që edhe ne t’i dëshmojmë aftësitë tona në këtë sport”, ka shtuar Driloni.
Në E-Sport, Kosova prezantohet edhe nga Baran Karabeg, i cili do të garojë në E-Sport F4.