Incidenti disa xhiro nga fundit në garën e Amerikës mes britanikut Lando Norris (McLaren) dhe holandezit Max Verstappen (Red Bull) duket se do të zgjasë edhe pak ditë, deri sa të zhvillohet këtë fundjavë gara e radhës, ajo në Meksikë.
Pas akuzave të Norris së penalizimi me 5 sekonda ishte i padrejtë dhe i njëanshëm, ka ardhur replika e holandezit.
“Nuk kam shtyrë askënd jashtë piste”, komentoi lideri aktual i kampionatit botëror. “Nuk e prekëm njëri-tjetrin.
U përpoqa të merrja këndin, isha “full lock” me timonin.
Është një garë e Formula 1, këtu nuk jemi në kopësht fëmijësh që të qahemi, gjërat zgjidhen në pistë”, tha më tej Verstappen.
“Ishte një hapësirë brenda dhe unë shkova atje. Ajo kthesë është shumë e gjerë, kështu që ju jep mundësinë të shkoni shumë gjerë ose të përpiqeni të qëndroni shumë të ngushtë. Zgjodha këtë opsion dhe isha ende aty. Ai parakalim nga jashtë ishte i gabuar, pasi Norris përfitoi. Parakalimi duhetj të ndodhte në pistë”, u shpreh kampioni i botës në Formula 1.