FIA Motorsport Games “Valencia 2024” kanë hyrë në fazën përfundimtare.
Nga garuesit e Kosovës ka mbetur vetëm edhe Dion Kajtazi që nuk e ka mbyllur ende “llogarinë” në këtë festival automobilistik.
Dioni, i cili Kosovën e përfaqëson në disiplinën drift, garon nesër (e diel) dhe është optimist për rezultat të mirë.
Ndryshe, deri më tani paraqitjen më të mirë Kosova e pati në disiplinën karting sllallom.
Dyshja Rion Tytynxhiu e Rubina Krasniqi u renditën në TOP-8, që duke marrë parasysh konkurrencën tejet të fortë është rezultat që duhet vlerësuar shumë.
Rioni e Rubina prapa tyre lanë shtete me traditë e auto sport shumë të zhvilluar.
Gjithsesi Rioni dëshmoi se është mjeshtër i këtij zanati dhe bashkë me Rubinën janë e ardhmja e auto sportit kosovar.
Paraqitje të mirë ekipi ynë pati edhe në auto sllallom, në përbërje Genc Macula e Dashurie Sefa.
Megjithatë, ata nuk arritën të futen në fazën e eliminimit direkt.
Në këtë disiplinë, sidomos në vozitjen e dytë, shkëlqeu Genc Macula, duke u renditur në pozitën e tretë.
Në fazën e eliminimit direkt nuk u kualifikuan as Baran Karabeg në E-Sport Formula 4 dhe Drilon Ahmetaj në E-Sport GT.
Dy garuesit tanë e dhanë maksimumin, por realisht konkurrenca ishte “e çmendur” dhe rezultater e arritura janë solide.
Barani e Driloni patën mundësi për renditje shumë më të mirë, por patën aksidente, pa fajin e tyre, me garuesit nga Suedia, përkatësisht Shqipëria.