Dy fitore radhazi të Ferrari në Amerikë dhe Meksikë kanë bërë që makina italiane të ngjisë shumë shpejt shkallët e renditjes për konstruktorë në Formula 1 dhe tashmë ndodhet e dyta, 29 pikë pas McLaren.
Ndërkohë që, Red Bull Racing ka zbritur në vendin e tretë dhe me paraqitjet e fundit nuk duket të gjendje të mbrojë titullin.
Ai që shijon situatën është drejtori sportiv Frederic Vasseur, që së bashku me pilotët kanë përfituar nga “përplasja” që kanë McLaren dhe Red Bull me pilotët e tyre.
Norris dhe Verstappen kanë qenë protagonistë të disa incidenteve, nga të cilat kanë përfituar Leclerc e Sainz për të fituar dy garat e fundit e ngjitur në podium.
“Dy zihen dhe përfiton një i tretë. Shpresoj që shtypi të flasë për penalitetin e Verstappen dhe luftën mes këtij të fundit dhe Norris. Kështu që, askush nuk fokusohet tek ne. Për sa kohë që ata luftojnë me njëri-tjetrin jam shumë i lumtur. Mund të vazhdojnë sa të duan, ndoshta edhe duke bërë diçka më shumë”, tha me ironi Vasseur.
“Gjithsesi, ne duhet të bëjmë punën tonë dhe të shohim se si do të shkojë gara tjetër, ky mund të kapim një tjetër podium të dyfishtë. Leclerc bëri një gabim të vogël në Meksikë, por në përgjithësi ishte një fundjavë shumë pozitive dhe ne duhet të jemi optimistë duke ruajtur fokusin për pjesën tjetër të sezonit”, tha Vasseur.
Në fund, shefi i “kokëkuqes” u shpreh: “Ne sollëm përditësime në Monza dhe që atëherë ka shkuar shumë mirë. Në fillim menduam se varet edhe nga pistat, por dolëm mirë edhe në garat e fundit. Mendoj se do të jemi konkurrues deri në fund, por duhet të fillojmë nga e para në Brazil fundjavën e ardhshme”.