Piloti spanjoll i Ducati Pramac, Jorge Martin, u shpall sot pasdite kampion bote në MotoGP për vitin 2024. Atij i mjaftoi vendi i tretë arritur në garën e zhvilluar në pistën e Montemelo, para fansave të tij në Barcelona, për të fituar titullin e parë në karrierë në këtë kategori.
Martin kishte 19 pikë epërsi para garës karshi italianit të Ducati, Francesco Bagnaia, ndaj u mjaftua me administrimin e avantazhit, në një garë ku nuk rrezikoi aspak (fitoi titullin me 10 pikë më shumë se italiani). Ai la Bagnaia e Marc Marquez (i dyti sot) të duelonin për fitoren, duke bërë një garë më vete.
Bagnaia bëri detyrën, duke fituar garën e fundit sezonale dhe shpresuar te titulli kampion, por nuk ia doli dot të përmbysë renditjen. Italiani shpresoi te fati apo ndonjë gabim i Martin, në një fundjavë ku ishte dominues, por kjo nuk mjaftoi (fitoi edhe garën sprint të shtunën).
Italiani e nisi garën nga “pole” dhe e ruajti kreun deri në fund, duke lënë pas Marquez (i dyt). Martin e mbylli garën i treti dhe më pas nisi festën për këtë triumf të madh në karrierën e tij. Bagnaia fitoi më shumë gara se Martin, por spanjolli ishte më konstant përgjatë sezonit.
Kjo garë duhej të ishte zhvilluar në Valencia, por u spostua në Barcelonë për shkak të përmbytjeve dy javë më parë. Ndaj dhe u quajt “gara e solidaritetit”, pasi të ardhurat shkuan për personat e prekur nga përmbytja në Valencia. Motori Ducati u shpall kampion për konstruktorë.