“Nuk e kisha besuar kurrë se një gjë e tillë do të ishte e mundur për mua”. Eshtë ky komenti i parë që Max Verstappen tha pas fitimit të titullit të katërt kampion bote për pilotë në Formula 1.
Piloti holandez i Red Bull u klasifikua i pesti sot në garën e zhvilluar në Las Vegas, por kaq mjaftoi që ai të sigurojë matematikisht titullin kampion për pilotë. Ai la pas rivalin e tij për titull, Lando Norris.
“Cfarë sezoni. Katër herë kampion bote. Falënderoj të gjithë skuadrën time, të gjithëve. Këtë vit ishte paksa më e vështirë se vitin e kaluar, por ne i kaluam të gjitha vështirësitë”, tha më tej Verstappen.
“Ishte një sezon i gjatë, me shumë sfida dhe m’u desh të luftoja shumë. Gjithsesi, si unë ashtu dhe skuadra ime jemi krenarë, pasi kemi besuar dhe ia dolëm mbanë”, tha Verstappen, që mori titullin e katërt radhazi.