Max Verstappen me Red Bull fitoi sot në mbrëmje garën e Çmimit të Madh të Katarit në Formula 1. Një triumf i merituar i pilotit holandez (triumfi i 63-të në karrierë), që e nisi garën nga vendi i dytë, por mori kryesimin që në kthesën e parë dhe e ruajti atë deri në fund.
Edhe pse në pistë hyri tri herë makina e sigurisë ai nuk e dorëzoi kreun, duke përballuar sulmet e Lando Norris me McLaren. Ky i fundit bëri një gabim në momentin që në pistë ishte makina e sigurisë duke u penalizuar me 10 sekonda dhe e mbylli garën në vendin e 10-të.
Kështu, në vendin e dytë u klasifikua Charles Leclerc me Ferrari, ndërkohë që podiumi kompletohet edhe me Oscar Piastri (i treti me McLaren). Vetëm i katërti u klasifikua George Russell me Mercedes, që e nisi garën nga “pole”, por humbi terren dhe mbeti jashtë podiumit.
Në zonën e pikëve u renditën edhe Gasly (i pesti), Sainz (i gjashti), Alonso (i shtati), Zhou (i teti), Magnusen (i nënti) e Norris (i dhjeti). Hamilton doli i 12-ti pas penalizimit. Ferrari fitoi terren ndaj McLaren në garën për titullin e konstruktorëve, që do të vendoset pas një jave në Adu Dhabi, me McLaren që ka 21 pikë avantazh ndaj Ferrari.