Ditën e diel do të zhvillohet gara e fundit sezonale e botërorit 2024 në Formula 1.
Do të garohet në Abu Dhabi, aty ku vëmendja është përqendruar te rivaliteti McLaren-Ferrari për titullin kampion për konstruktorë.
Megjithatë, piloti holandez i Red Bull, Max Verstappen, nuk i intereson kjo çështje dhe sheh punët e tij.
Ai triumfoi pak ditë më parë në Katar dhe synon ta mbyllë mbarë këtë sezon, me një fitore edhe në Abu Dhabi.
“Katari ishte një garë emocionuese dhe ishte bukur të fitonim sërish. Makina ishte shumë më e lehtë për t’u drejtuar dhe ishte një performancë e shkëlqyer nga i gjithë ekipi,” komentoi Max Verstappen.
“Në Abu Dhabi kam kujtime të mira. Do të ishte pozitive ta mbyllnim sezonin me nota pozitive, duke përfituar nga konkurrenca mes McLaren e Ferrari. Nuk merremi me punët e tyre, ne do të synojmë një tjetër fitore”, tha Verstappen.