Norris triumfon në Abu Dhabi

Formula 1

Norris triumfon në Abu Dhabi

Më: 8 dhjetor 2024 Në ora: 15:50
Pamje nga gara

Lando Norris me McLaren fitoi sot garën e fundit sezonale në Formula 1, atë të zhvilluar në pistën e Yas Marina në Abu Dhabi.

Një garë e dominuar nga piloti britanik (fitorja e 4-t sezonale), që e nisi atë nga “pole position” dhe e ruajti kryesimin deri në fund.

Sukses i merituar i tij, që njëkohësisht i jep McLaren titullin kampion bote për konstruktorë pas 26 vitesh. Edhe Ferrari bëri një paraqitje shumë të mirë me të dy pilotët e saj, që u ngjitën në podium, me Carlos Sainz (i dyti) dhe Charles Leclerc (i treti).

Gjithsesi, kjo nuk i mjaftoi “kokëkuqes”, që e mbylli botërorin në vendin e dytë për konstruktorë, 13 pikë pas McLaren.

Ai që shkëlqeu ishte Leclerc, që e nisi garën nga vendi i 19-të dhe e mbylli në të tretin. Por Norris ishte i pagabueshëm, duke bërë një garë të qetë.

Fillimi i garës dhuroi emocione pas incidentit mes Piastri dhe Verstappen, por më pas gara ra në qetësi. Në vendin e katërt e të pestë u renditën dy pilotët e Mercedes, me Lewis Hamilton (u nis nga vendi i 18-të) që la pas shokun e tij të skuadrës George Russell.

Në vendin e gjashtë u klasifikua Max Verstappen me Red Bull, që la pas Pierre Gasly, Nico Huklenberg, Fernando Alonso e Oscar Piastri. Një garë që i dha McLaren titullin kampion bote dhe solli te zhgënjim te Ferrari, në një tjetër sezon pa trofe.

commentKomento
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat