Ferrari do titullin

Formula 1

Ferrari do titullin

Më: 20 dhjetor 2024 Në ora: 22:35
Frederik Vasër

Frederik Vasër i ka mar rë me buzëqeshje pyetjet e shumta nga gazetarët e pranishëm gjatë përshëndetjes së fundvitit të organizuar nga skuderia Ferrari në Fiorano.

Në qendër të pothuajse të gjitha pyetjeve të marra është emri i shtatë herë kampionit të botës, Luis Hamilton, i cili nga fillimi i vitit 2025 do të kalojë dyert e Maranelos për të filluar, në moshën 40- vjeçare një fazë e re vendimtare e karrierës së tij me Ferrarin. “Nuk ishte e vështirë për ta bindur Luisin se ardhja te Ferrari ishte një opsion i vlefshëm për të ardhmen e tij”, shpjegon drejtori i ekipit të kuq.

HAPAT E ARDHSHËM TË FERRARIT- Data e shumëpritur, e zbuluar nga Vasër në Fiorano, do të jetë 19 shkurti 2025, kur makina e re Ferrari F1, e para e epokës Lëklerk-Hamilton, do të zbulohet në prezantimin zyrtar. Ndërsa për sa i përket provës së parë të Hamiltonit në timonin e Ferrarin në pistën e Fioranos, ende nuk ka asnjë datë zyrtare.

“Luis do të ketë vetëm gjashtë javë në dispozicion nga fillimi i janarit deri në prezantimin e makinës, por ai është një pilot me shumë përvojë dhe për këtë arsye nuk jam i shqetësuar se do të ketë vetëm tri ditë testime në Bahrejn. Çfarë që do të ndodhë, për shembull edhe nëse kemi një stuhi rëre siç ndodhi disa vite më parë, nuk do të ishte e lehtë për Luisin, por ai ka përvojë, ndërsa do të ketë edhe avantazhin e madh të simulatorit në dispozicion”, shtoi Vasër.

HAMILTON-LËKLERK, DYSHJA E RE- Sfida e Hamiltonit te Ferrari do të përfshijë gjithashtu bashkëjetesën në skuadër me shokun e ri të ekipit, Sharl Lëklerk. Vasër është i bindur se britaniku dhe monegasku formojnë një dyshe të madhe:

“Ata do të shtyjnë njëri-tjetrin. Është një sfidë e rëndësishme për të dy dhe nuk jam i shqetësuar, sepse ekziston respekt i madh mes tyre. E njohin mirë njëri-tjetrin dhe kanë muaj që flasin për të ardhmen e tyre si bashkëlojtarë dhe sfida e tyre do ta ndihmojë skuadrën”. Drejtori i ekipit të kuq e pranon se nuk ka shumë këshilla për t’i dhënë Luisit për kalimin e tij në Maranelo: “Ai nuk ka nevojë për këshillën time, ndoshta do t’i thosha të mos hante shumë makarona”, thotë duke qeshur francezi.

OBJEKTIVI I FERRARIT- Ajo që u kuptua e qartë nga fjalët e 56-vjeçarit francez është dëshira për t’u vijuar ecurinë e hapave përpara të bërë gjatë këtij viti, për të mbërritur te titulli i konstruktorëve: “Ky vit ka qenë shumë i fortë për të gjitha skuadrat.

Katër ekipe mundën të bënin dopieta, shtatë pilotë kanë fituar dhe nuk e di nëse ky është një rekord absolut për F1, por është një tregues shumë i madh. Besoj se edhe vitin e ardhshëm situata do të jetë pothuajse e njëjtë me 4 skuadra që do të luftojnë. Do të jetë thelbësore për ne që të punojmë në pikat tona të dobëta në mënyrë që të jemi në gjendje të kthehemi në garë në mënyrën më të mirë dhe të luftojmë me tre kundërshtarët tanë. Për të fituar titullin duhet të shmangim luhatjet gjatë sezonit”, shprehet Vasër, i cili nuk kërkon të bëjë gabimin e nënvlerësimit të rivalëve.

LAMTUMIRA E SAINZIT- Në fund nuk mund të mungonte një koment për Karlos Sanzin, i cili u përshëndet me pistën në Fiorano së bashku me babain e tij. Një lamtumirë e veçantë nga Maranelo, e kërkuar nga Vasër, për të falënderuar spanjollin për punën e madhe të bërë së bashku:

“E di që nuk ishte e lehtë për të kur mësoi se ne nuk do të rinovonim kontratën, por Karlos mbeti i fokusuar dhe profesionist, duke ndihmuar ekipin të luftojë deri në kthesën e fundit të xhiros finale në Abu Dabi”. Një lamtumirë që mbyll vitin 2024, ndërsa Vasër përgatitet për sfidën që pret të gjithë ekipin e tij vitin e ardhshëm, kur dyert e Fioranos do të mirëpresin dyshen e re të Ferrarit, në shenjën e një ambicieje për t’u përjetuar në pistë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat