Botërori i Formula 1 do të vijojë të mbesë në limitin e 24 garave, ndërkohë që numri i kërkesave në rritje për të mikpritur një garë është shumë i madh. Kjo do të sjellë një alternim të pistave që do të organizojnë garat e Formula 1. Duke nisur nga viti 2026, përcaktimi i pistave që do të mirëpresin botërorin e F1 do të bëhet me rotacion.
Nëse vendet arabe e kanë më të lehtë të garantojnë një vijueshmëri të pistave të tyre, për shkak se i kanë të ardhurat, vendet europiane e kanë më të vështirë. Kështu, Katari paguan çdo vit 50 milionë dollarë për të siguruar një vend në Formula 1, ndërsa pista si SPA (Belgjikë) luftojnë për të përmbushur kërkesat financiare të këtij sporti.
Për pasojë, për të mos humbur nga harta e garave, këto pista që kanë vështirësi financiare për të organizuar çdo vit një garë do të alternohen mes tyre. Kjo pritet të ndodhë mes pistave si SPA dhe Imola (Itali), apo mes dy qyteteve më të mëdha të Spanjës, Barcelonë dhe Madrid, që pritet ta bëjnë me rotacion organizimin e garave.
Shumë vende si Kuvajti, Afrika e Jugut, Tajlanda dhe Korea e Jugut janë të gatshme të ofrojnë miliona dollarë vetëm për të marrë një vend kalendarin e F1.
Pra, vendeve europianë nuk u mbetet gjë tjetër veçse të rrisin kontributin e tyre financiar për të organizuar një garë çdo vit ose të pranojnë kompromisin, për t’u alternuar me një pistë tjetër.
Rotacioni nuk është një opsion i ri në F1, pasi një gjë të tillë e ka përdorur më parë Gjermania, kur alternonte dy pistat e saj të Hockenheim dhe Nurburgring (deri në vitin 2010). E gjithë kjo gjë bëhet për të mos rritur numrin e garave në Formula 1, ndërkohë që është e qartë që ky sport ka fituar një popullaritet të jashtëzakonshëm kudo në botë.