Pas prezantimit të të gjitha makinave të Formulës 1 mbrëmjen e së martës në Londër, tashmë ekipet kanë përveshur mëngët seriozisht për sezonin e ri. Ferrari, që është edhe skuadra më e shumë pritur e Botërorit 2025, ka zbritur dje në mëngjes në pistën e Fioranos me dy pilotët e saj, Sharl Lëklerk dhe Luis Hamilton.
Francezi dhe britaniku testuan në asfalt njëvendëshen e tyre të re, SF-25. Ky ishte edhe kontakti i parë zyrtar në pistë me makinën e vitit 2025, para testeve që do të zhvillohen më datat 26-28 shkurt në Bahrejn, për t’u bërë gati për startin e sezonit që të hapet më 16 mars me Çmimin e Madh të Australisë. Zhurma e motorit të SF25 entuziazmoi tifozët e shumtë të “kokëkuqes” që kishin mbushur cirkuitin.
Pas provave në Fiorano, Hamilton u shfaq i kënaqur dhe shumë i karikuar për sezonin ri, aty ku futet me objektiva madhorë, siç është fitimi i titullit të tetë kampion në F1.
LUIS HAMILTON – Shtatë herë kampioni i botës u shpreh kështu pas ditës së parë të testeve me makinën SF-25 në Fiorano: “Jam shumë i emocionuar, shumë i lumtur dhe mbi të gjitha shumë krenar. Po argëtohem jashtë mase. Makina shkon mirë, sigurisht është ende shumë herët për të shprehur gjykime, por nuk kemi patur probleme dhe ky është një fillim i mirë. Kjo është makina ime e parë Ferrari dhe më duket ende e vështirë ta besoj. Ndihem mirë me njerëzit e skuadrës. Këtu është gjithçka ndryshe në krahasim me Mercedesin dhe të shkuarën time.
Që nga momenti kur futesh në garazh dhe vesh kostumin e kuq… gjithçka është ndryshe me atë që ke bërë më parë. Ecja në parakalimin e Londrës gjatë prezantimit me kostumin e Ferrarit ishte diçka unike. Jam pa fjalë”, u shpreh britaniku, i cili më tej foli edhe për marrëdhënien me shokun e ri të skuadrës: “Që fëmijë për mua Ferrari ka qenë një ëndërr dhe është diçka e çmendur që tani po ndodh vërtetë.
Më pëlqen shumë të punoj me Sharl Lëklerkun. Me të flisja edhe më parë, pasi kemi shumë gjëra të përbashkëta, si muzika apo moda, ndërsa tani ndjej që po lind një miqësi e bukur. Më ndihmon vërtet të vëzhgoj se si ai punon me ekipin, në mënyrë që të mësoj më shpejt se si të përshtatem. Kjo ishte koha e duhur për mua që të kaloja te Ferrari dhe jam shumë mirënjohës për këtë mundësi. Dua të përpiqem të shkruaj një kapitull të ri në historinë e Ferrarit”, përfundoi Luis Hamilton.